Allahu i Lartësuar
Ky është emri që i përfshin të gjithë emrat më të bukur të Allahut të Lartësuar, sepse në vetvete ngërthen të gjitha cilësitë e Allahut të Lartësuar. Lidhur me këtë, imam Ibn Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Për këtë shkak çdo emër tjetër i Allahut të Lartësuar prej emrave të Tij më të bukur, i referohet këtij emri madhështor, siç qëndron edhe në fjalët e të Lartësuarit: ‘Allahut i përkasin emrat më të bukur’. Pra thuhet: Er-Rrahman – Mëshiruesi, ErRrahim – Mëshirëploti, El Kudus – i Shenjti, Es-Selam – Shpëtuesi, El Aziz – i Gjithëfuqishmi dhe El Hakim – i Urti, janë emrat e Allahut dhe jo e kundërta.
Pra, nuk thuhet: Allah është emër i Er-Rrahman – Mëshiruesit dhe as emër i El Aziz të Gjithëfuqishmit. Në këtë mënyrë e kuptojmë se emri Allah i përmban të gjitha kuptimet e emrave të tjerë më të bukur të Tij, në mënyrë të përgjithësuar. Ndërkaq, emra të tjerë veç këtij emri, janë emrat që sqarojnë disa detaje të disa cilësive të Allahut, që nxirren prej emrit Allah. Ky emër në vetvete ngërthen cilësitë dhe atributet e Hyjit, Zotit.
Pra, Ai i Cili e mban këtë emër është Zot që adhurohet nga të gjitha krijesat, duhet me dashuri të plotë dhe madhërohet prej tyre. Allahu është Ai, nga i Cili frikësohen të gjitha krijesat, Atij i nënshtrohen dhe tek Ai vrapojnë për t’i plotësuar kërkesat dhe nevojat e tyre. E kjo aludon në plotësinë e atributeve të Tij, si Zot i Vetëm i Denjë. Kjo nënkupton edhe mëshirën e Tij për krijesat që ka krijuar, si dhe plotësinë e pushtetit dhe mirënjohjes së plotë, të cilën e meriton nga krijesat e Tij.
Kështu, të qenët Zot, Hyjnizimi i Tij, Mëshira e Tij dhe Pushteti i Tij janë pjesë e pashkëputshme e tërësisë së cilësive të Tij të plota. Pra, një Zot me atribute të Hyjit, nuk mund të mos jetë i Gjallë, Gjithëdëgjues, Gjithëshikues, i Plotfuqishëm, i Cili flet, i Cili vepron gjithë çfarë do dhe i Cili nuk është i Urtë në bëmat e Tij.
“Cilësitë më madhështore e më të bukura janë më të veçanta për emrin Allah. Ndërkaq, cilësitë që ngërthejnë veprimet si: fuqinë, veçimin e Tij për të bërë dobi apo për të mos penguar dëmin, për dhënie apo për mosdhënie, si dhe zbatimin e plotë të çdo gjëje që Allahu do në bazë të urtësisë dhe planit të Tij, janë më të veçanta për emrin e Tij Er-Rabu – Zoti.
“Cilësitë si: bamirësia, bujaria, dashamirësia, mirëbërja, mirësia dhe butësia janë më të veçanta për emrin e Tij, Er-Rrahman – Mëshiruesi. Në këtë mënyrë janë edhe cilësitë e Tij të tjera që ndërlidhen mes tyre në bazë të kuptimeve që ato ngërthejnë, si dhe efekteve të cilat shkaktojnë.” (Medarixh es-salikin, 1/32 – 33)
Emri Allah, në Kuranin Fisnik përmendet 2724 herë. Emri i Allahut të Lartësuar është i veçantë vetëm për Të. Shumë prej dijetarëve mendojnë se ky emër rrjedh nga një rrënjë në aspektin gjuhësor, por kanë divergjenca se cila është kjo rrënjë. Kështu, disa thonë se është nga fjala Ilah – Hyj, në formën sipërore fe-al, mirëpo në vend të shkronjës hemze, u futën shkronjat elif dhe lam, sikurse te fjala en-nas – njerëzit, e cila e ka origjinën nga unas – njerëzit.
Pra, ata thonë se fjala Allah, e cila është emër i Lartmadhërisë së Tij, e ka rrënjën nga fjala Ilah – Hyji, e cila është kryefjalë e fjalisë foljore, mirëpo që në këtë rast merr kuptimin e kundrinës së drejtë i Adhuruari. Kësisoj, kuptojmë se Allahu është i vetmi i Adhuruar që është i denjë për adhurim, ndaj edhe asnjë krijesë s’guxon të merret për zot, e t’i kushtohen adhurime.
Zaten, fjala Hyj, nënkupton fjalën Perëndi, pra, dikush i Cili adhurohet nga të tjerët. Kjo formë e tillë e trajtave të fjalëve është diçka e njohur tek arabët, që e përdorin në të folmen e tyre. Nga e gjithë kjo, kuptojmë se emri Allah, përfaqëson atributet e Hyjit, të cilat i takojnë vetëm një Zoti të Vërtetë.
Ndërkaq, një pjesë tjetër e dijetarëve konsiderojnë se emri që i referohet Qenies së Lartmadhëruar është i ngurtë dhe s’ka ndonjë fjalë bazë si origjinë të tij. Ata thonë se shkronjat elif dhe lam, janë pjesë e këtij emri, pjesë e strukturës së tij, dhe nuk janë nyje shquese e tij. Argument për këtë marrin faktin se ky pranon pjesëzat thirrëse, përderisa emrat e shquar me shkronjat elif dhe lam, në gjuhën arabe nuk pranojnë pjesëza thirrëse. Në gjuhën arabe emri mund të shquhet me anë të shkronjës elif dhe lam, por edhe me anë të pjesëzës thirrëse ja, që në shqip përkthehet o. Pra, lejohet të thuhet ja Allah – o Allah, por nuk lejohet të thuhet ja Er-Rrahman – o Mëshiruesi, e as ja El-Besir – o Gjithëdëgjuesi, sepse nuk lejohet shquarja e emrit dy herë.
Kjo shërben si argument i këtij grupi të dijetarëve, të cilët thonë se elif dhe lam në fillim të fjalës Allah, është pjesë e strukturës së emrit dhe jo nyje shquese e Tij. Mirëpo mendimi më i saktë duket të jetë mendimi i parë: që ky emër e ka origjinën nga rrënja ilah, me kuptim të kundrinës së drejtë, i adhuruari. Pra, ky emër i Lartmadhërisë së Tij, shpreh atributet e Hyjit, të cilat i takojnë vetëm Atij.
Shejh Sadi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Fjala Allah nënkupton i Adhuruar, Perëndi dhe Ai i cili zotëron atributet e Hyjit. Gjithashtu nënkupton se të gjitha krijesat janë robër të Tij, për shkak se Ai është Zot i atributeve hyjnore. E këto atribute janë pjesë e cilësive të Tij të plota. Në këtë mënyrë Allahu na informon se me këtë emër Ai i përmbledh të gjitha kuptimet e Hyjit dhe vetëm Ai është i denjë të jetë Hyji i njerëzve, në kuptimin e plotë të fjalës.
Pra, vetëm Ai i Vetëm duhet të adhurohet. Vetëm Ai e meriton falënderimin absolut. Ai është Madhështori, Zot i madhështisë dhe Zot i fisnikërisë. Emri Allah, është emër që përfshin të gjithë emrat më të bukur dhe cilësitë më të plota të Tij. Vetëm Allahu e di më së miri!” (Tefsir es-Sadi, 5/620)
Ai është Allahu dhe vetëm tek Ai robi mund të gjejë qetësi. Zemra s’mund të qetësohet ndryshe, veçse me përmendjen e Tij dhe as mendja s’mund të shijojë lumturinë pa njohjen e Tij, sepse Ai është i Lartësuari, i Cili është i Vetëm, i Plotë dhe askush tjetër nuk është sikurse Ai; sepse Ai është Zoti tek i Cili robi gjen strehë dhe prehje; sepse s’ka Rregullues tjetër në kuptimin e plotë të fjalës veç Allahut dhe s’ka Ndihmëtar, në kuptimin e plotë të fjalës, veç Allahut.
Ndaj, edhe asnjë rob nuk ndihet i sigurt për secilën qelizë të trupit të tij, pa hyrë brenda ombrellës së sigurisë së Allahut. Dhe hyrja në këtë ombrellë sigurie bëhet me mall e dashuri për Allahun. Allahu pra, është Ai i Cili është Zot i plotë në Qenien dhe cilësitë e Tij. Kësisoj, njeri gjen butësi vetëm tek Ai, prandaj edhe s’mund të pavarësohet nga nevoja për t’i shërbyer Atij dhe as të mërzitet nga përmendja e Tij. Zemrat e besimtarëve bëhen si me krahë dhe janë të pangopura për dashurinë e Tij dhe për lidhjen e tyre me Të.
Allahu është Ai nga i cili robi merr krenari kur përulet para Tij, kur nënshtrohet dhe i bindet Atij. Në këtë mënyrë, kënaqësinë e Allahut e vendos para kënaqësisë së tij në çdo rrethanë, si dhe largohet nga çdo shteg që mund ta shpjerë drejt hidhërimit të Allahu. Vetëm kjo është mënyra e plotë për të kërkuar kënaqësinë dhe dashurinë e Allahut të Lartësuar.
Pra, robi përulet dhe i nënshtrohet Zotit të tij me kënaqësi të plotë, pa asnjë imponim, por e bën i shtyrë nga dashuria që ka për Zotin e Vetëm të Vërtetë, Zotin që është i plotë dhe pa asnjë të metë në të gjitha cilësitë e Tij dhe në Lartmadhërinë e Qenies së Tij, me të drejtë. Kuptimi i emrit të Tij është se Ai është Hyji i vetëm që duhet adhuruar dhe vetëm Ai është i denjë për t’i merituar adhurimet.
Këto janë vetëm disa nga kuptimet më kryesore të këtij emri madhështor. Allahu i Lartësuar nuk i ka krijuar xhinët dhe njerëzit për gjë tjetër, veçse për ta përmbushur këtë synim, siç thotë Vetë Allahu: “Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” (Dharijat, 56). (El Mefahim el muthla fi dhilal esma Allah el husna, 14)
Shejhu-l-Islami, Allahu e mëshiroftë, sqaron kuptimin e emrit El Ilah – Hyji, duke thënë: “El Ilah – Hyji, është i Adhuruari, pra, Ai i Cili është i denjë që të jetë Hyji – i Adhuruari. Ndaj askush tjetër nuk meriton të quhej Hyji, veç Allahut të Vetëm, kështu që çdo i adhuruar tjetër është poshtë Fronit të Tij, është në Tokën e Tij dhe adhurohet pa të drejtë.
Në aspektin gjuhësor, ky emër është i shkallës sipërore me kuptim të kundrinorit të drejtë, siç është rasti me fjalët rukab – të hipurit dhe humal – të ngarkuarit, me kuptimin e atyre që kanë hipur në një mjet udhëtimi apo atyre që janë të ngarkuar në një mjet udhëtimi… Ndërsa Allahu është Hyji i Vërtetë dhe s’ka tjetër të vërtetë veç Tij, prandaj askush s’ka të drejtë të adhurojë askënd dhe asgjë tjetër veç Allahut.
Askënd dhe asgjë s’ka të drejtë t’i marrë për zota, veç Allahut. Ai thotë: ‘Prandaj, mos adhuro tjetër zot, përveç Allahut, që të mos bëhesh nga ata që do të dënohen!’ (Shuara, 213). Gjithashtu thotë: ‘Mos vër zot tjetër me Allahun, se do të mbetesh i poshtëruar dhe i braktisur!’ (Isra, 22) dhe: ‘A do t’i adhurosh idhujt si zotat e tu?! Unë vërtet po shoh se ti dhe populli yt jeni në humbje të madhe.’ (Enam, 74).
Pra, krijesa s’mund të jetë perëndi e vetvetes, por, të tjerët e marrin për perëndi të tyre, e konsiderojnë hyjni dhe e quajnë me emra hyjnorë. Teksa e gjithë kjo është diçka e kotë, e padobishme, madje shumë e dëmshme për atë që merr këtë udhë. Askush tjetër veç Allahut nuk bën të quhet Hyji, të adhurohet apo t’i drejtohemi me lutje, sepse ai që nuk është Allah, nuk krijon dhe nuk sjell furnizime, ndërsa Allahu i Lartësuar kur të jep, s’ka kush e pengon, e nëse nuk të jep, s’ka kush që mund të të jap.
Tek Ai s’të bëjnë dobi thesaret e kësaj bote, sepse veç Allahut, s’ka zotërues të vërtetë të ndonjë gjëje. Allahu s’ka ortak në asgjë. Allahu s’ka ndihmës për asgjë. Megjithatë Ai pranon ndërmjetësim nga engjëj, profetët dhe njerëzit e mirë, atëherë kur Allahu i Lartësuar jep leje për këtë ndërmjetësim, përndryshe s’ka ndërmjetësim pa lejen e Tij. Me patjetër Allahu duhet t’i japë leje një ndërmjetësuesi, që të ndërmjetësojë tek Ai.
Gjithashtu duhet t’i japë leje edhe për të ndërmjetësuarin, që ai të bëhet i ndërmjetësuar. Përveç këtij rasti, askujt nuk i mundësohet ndërmjetësimi. Askush dhe asgjë tjetër veç Allahut, s’mund të quhet Perëndi apo i Adhuruar, meqenëse askush përveç Allahut nuk është krijues apo furnizues. S’ka perëndi tjetër veç Atij, Ai është i Vetëm, i Pashoq, Atij i takon i gjithë pushteti dhe i gjithë falënderimi, Ai është Fuqiplotë në raport me gjithçka.” (Mexhmu el fetaua, 13/203 – 205)
“S’ka perëndi tjetër veç Allahut” është formula e vetme e shprehjes së monoteizmit, e cila e përmbledh fenë e të gjithë profetëve të dërguar nga Allahu i Lartësuar. Kjo është fjalia më madhështore që Allahu i Lartësuar e ka zbritur përmes Shpalljeve, sepse ajo përmban të vërtetën më të rëndësishme: ajo i dallon besimtarët nga jobesimtarët dhe të mirët nga të ligjtë. Kjo formulë shpreh njësimin e Allahut të Lartësuar dhe denjësinë e Tij, për të qenë Vetëm Ai i Adhuruari. Ai thotë: “Thuaj: ‘Vërtet, Ai është vetëm Një Zot dhe unë jam larg nga ato që ju ia shoqëroni Allahut (në adhurim)’”. (Enam, 19).” (Esma Allah el husna, dr. Omer el Eshkar, 31)
Imam Ibn Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “El Ilah – Hyji, është Ai që adhurohet, me dashuri, duke qenë të penduar, me lartësim dhe duke e madhëruar.” (Tarik el hixhretejn, 108) Gjithashtu thotë: “Vërtet El Ilah – Hyji, është Ai që i përmbledh të gjitha cilësitë dhe mbiemrat madhështorë, ndaj edhe të gjithë emrat e Tij më të bukur përfshihen brenda këtij emri.” (Bedai el fevaid, 2/212)
Dhe thotë: “El Ilah – Hyji, është Ai, të Cilit i takojnë cilësitë e plota dhe i Cili karakterizohet me mbiemrat më fisnikë, sepse vetëm Atë e adhurojnë zemrat me dashuri, prej Tij druhen dhe tek Ai i varin shpresat e tyre.” (Shifa el alil, 1/411)
Gjithashtu thotë: “El Ilah – Hyji i Vërtetë është Ai, Qenies së të Cilit i kushtohet dashuria e sinqertë dhe i shprehen mirënjohjet më të thella Lartmadhërisë së Tij. Kjo dashuri dhe mirënjohje i shprehet thjesht dhe vetëm pse Ai ekziston, e ku është pjesa tjetër kur shtohet bamirësia e Tij ndaj nesh, begatitë e Tij për ne, urtësia e Tij, falja e Tij, mirësia e Tij dhe mëshira e Tij për ne? Ndaj, robi e ka të domosdoshme ta dijë se s’ka zot tjetër veç Allahut dhe duhet ta dojë e ta a falënderojë Qenien dhe plotësinë e Tij.” (El Fevaid, 203)
Shejh Sadi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Cilësitë e Hyjit janë të gjitha të plota, madhështore, fisnike dhe të bukura. Ato janë cilësi të mëshirës, mirësisë, bujarisë dhe begatimit, prandaj Zoti i këtyre cilësive është i vetmi i denjë për t’u adhuruar e madhëruar. Është i Vetmi që meriton të quhet Hyji e kështu t’i kushtohen vetëm Atij adhurimet, për shkak se Atij i takon e gjithë madhështia dhe krenaria.
Ai duhet të adhurohet, sepse vetëm Ai është Mbajtësi i kësaj bote, vetëm Ai i meriton atributet që i takojnë Zotit, vetëm Atij i takon pushteti i plotë dhe mbretëria absolute. Ai duhet të adhurohet, sepse vetëm Ai cilësohet me mëshirë të plotë dhe vetëm prej Tij burojnë mirësitë e begatitë, të hapura e të fshehura për të gjitha krijesat. Allahu adhurohet, për shkak se Ai përfshin çdo gjë me diturinë, urtësinë, mirësinë, fuqinë dhe bamirësinë e Tij. Ai duhet të adhurohet, sepse është i vetmi i pavarur plotësisht nga çdokush dhe çdo gjë.
Ndërkaq, gjithçka, çdokush e çdo gjë tjetër, janë të varur prej Tij. Ata kanë nevojë që të krijohen prej Tij e pastaj edhe të mirëmbahen nga Ai. Të gjithë kanë nevojë për riskun e Tij. Çdokush është fakir në raport me Allahun, çdokush ka nevojë për Allahun përgjatë përballjes me peripecitë dhe vështirësitë e jetës, e mbi të gjitha, çdokush ka nevojë ta adhurojë vetëm Allahun, ta besojë dhe ta njësojë Atë.” (Fet’h Er-Rrahim el Melik el Al-lam, botimi i Abdurrezak el Bedr, 20)
Allahu është emri më i madh i Zotit, sipas mendimit më të saktë
Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Ky është emri më i madh i Tij dhe më gjithëpërfshirësi, aq sa disa dijetarë thonë se ky është emri më i madh i Allahut. Askush tjetër nuk emërtohet me këtë emër veç Allahut, prandaj ky emër nuk pranon as dysi dhe as shumës. Kësisoj është edhe një prej komenteve të fjalëve të Allahut: ‘A njeh ti ndokënd që ka Emrin e Tij?!’ (Merjem, 65).
Pra, a njeh ndokënd që bart emrin Allah, përveç Allahut? Allah është emër që i referohet Qenies së Vërtetë, të Cilit i takojnë atributet e Hyjit dhe të Zotit. Ai është Një, i Vetëm, i Pashoq, dhe s’ka zot tjetër të vërtetë veç Tij.” (El Kurtubi, 1/102)
Ajo çfarë na shtyn të besojmë se emri Allah, është emri më i madh i Tij, janë pikat në vijim:
- Kur i Dërguari i Allahut dëgjoi një sahab duke u lutur me lutjen: “O Allah, unë po të lutem Ty duke dëshmuar se Ti je Allahu, s’ka zot tjetër veç Teje, Ti je Një, i Përkryeri, i Cili s’ka lindur, nuk është i lindur dhe nuk është i krahasueshëm me askënd.” tha: “Betohem për Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se e ke lutur Allahun me emrin e Tij më të madh – emër me të cilin kur lutet, Ai përgjigjet e kur i kërkohet diçka me këtë emër, Ai jep (atë që i kërkohet).” (Ebu Davudi, 1493)
- Në Librin e Allahut ky emër përmendet shumë shpesh, gjegjësisht emër në Kuranin Fisnik përmendet 2724 herë.
- Pjesa tjetër e emrave të Allahut të Lartësuar trajtohen si cilësitë e emrit Allah. Pra, kur shpjegon për Allahun, thua se cilësitë e Allahut janë El Alim i Gjithëdijshmi, El Hakim – i Urti, El Kerim – Bujari, por nuk thua se cilësi e El Alim i Gjithëdijshmi, është Allahu.
- Emri Allah i nënkupton të gjithë emrat e tjerë më të bukur të Allahut. Ai i përfshin ata në mënyrë të përgjithshme. Ndërkaq, më pastaj, secili emër shpjegon një cilësi të veçantë e cila është pjesë e Hyjit, e që nxirret nga emri Allah. Pra, Allahu është emër i cili tregon se Ai është i Adhuruari, Atë e adhurojnë krijesat me dashuri, me madhërim, me përulje dhe vetëm tek Ai kthehen për t’u penduar e për t’i plotësuar nevojat e tyre.
Ibn Kajjimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Vërtet, El Ilah – Hyji, është Ai i Cili i përmbledh të gjitha cilësitë dhe mbiemrat madhështorë, ndaj edhe të gjithë emrat e Tij më të bukur përfshihen brenda këtij emri. Kështu që mendimi më i saktë mbetet se fjala Allah e ka prejardhjen nga fjala El Ilah – Hyji. Kështu thotë gjuhëtari Siboja dhe kolegët e tij, përveç një numri të vogël të gjuhëtarëve, të cilët kanë kundërshtime për këtë çështje. Pra emri Allah është gjithëpërfshirës. Ai i përfshin të gjitha kuptimet e emrave më të bukur të Allahut dhe cilësive më të plota të Tij.” (Bedai el fevaid, 2/212) - Allahu i Lartësuar iu prezantua Musait, alejhi selam, me emrin e Tij Allahu: Allahu i Lartësuar shumë herë prezantohet para robërve të Tij me emrin Allahu. E mes tyre, është edhe atëherë kur iu prezantua profetit të Tij, Musait, alejhi selam, në momentin që e bëri të dërguar te populli i tij. Ky moment ishte atëherë kur Musai, alejhi selam, po kthehej së bashku me familjen e tij nga Medjeni për në Egjipt në një natë të errët. Gjatë kësaj rruge, nga largësia, në malin Tur pa një zjarr.
Në këtë moment, familjes së tij i tha: “Pritni, sepse kam parë një zjarr. Ndoshta mund t’ju sjell prej tij ndonjë lajm ose një urë zjarri për t’u nxehur.’ Kur erdhi afër, një zë e thirri nga ana e djathtë e luginës, nga një pemë në një vend të bekuar: ‘O Musa, në të vërtetë, Unë jam Allahu, Zoti i botëve!”” (Kasas, 30). Ndërkaq, Allahu i tha: “Unë të kam zgjedhur ty, prandaj dëgjo atë që po të shpallet! Me të vërtetë, Unë jam Allahu, s’ka zot tjetër përveç Meje.” (Ta-Ha, 13-14).
Pra, Allahu i Lartësuar u prezantua para profetit të Tij, Musait, alejhi selam, duke i thënë se Ai është Allahu, Zoti i Botëve dhe se Allahu është i vetmi Zot i Vërtetë, i Cili është i denjë që të jetë i Adhuruar, dhe se askush e asgjë tjetër nuk është i denjë e as meritor për t’ia kushtuar adhurimet.
Allahu i Lartësuar iu prezantua në këtë mënyrë edhe robit dhe të Dërguarit të Tij, Muhamedit, në Librin e Tij të zbritur, në kaptinën Fatiha të këtij Libri dhe në ajetin më madhështor të Tij, ajetin kursij, ku thotë: “Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij.” (Bekare, 255). 6- Atij i drejtohen lutjet me këtë emër:
Allahu i Lartësuar më së shpeshti lutet me fjalën Allahume, kuptimi i së cilës është O Allah. Për këtë shkak Allahume nuk përdoret në rastet kur ne nuk i drejtohemi Allahut me kërkesa. Nuk thuhet: “Allahume, Gafur – Falësi dhe Rrahim Mëshirëploti”, por thuhet: “Allahume, më fal mua dhe më mëshiro mua”. Edhe Profeti më së shpeshti lutej duke thënë Allahume. (Esma Allah el husna, dr. El Eshkar, 33-34)
Shejh Sadi, Allahu e mëshiroftë, ka një mendim të tij për realitetin e emrit më të madh të Allahut, i cili përmendet në hadithin e njohur të Profetit Shejhu thotë: “Disa njerëz mendojnë se emrin më të madh të Allahut nuk e di askush përveç atij që Allahu i jep keramet – superfuqi. Kjo është përshtypje e gabuar, sepse Allahu i Lartësuar na fton t’i mësojmë emrat dhe cilësitë e Tij. Ai e lavdëron çdokënd që e njeh Allahun dhe çdokënd që i kupton mësimet Tij. Edhe thirrja e Allahut me emrat e Tij është adhurim ose mund të jetë edhe kërkesë për të plotësuar ndonjë nevojë, kështu që s’ka dyshim se mes emrave të bukur të Allahut është edhe emri i Tij më i madh.
Madje, ftesa e Allahut për t’ju drejtuar Atij me emrat e Tij, fillon nga emri i Tij më i madh, sepse Allahu i Lartësuar është Bujari absolut, bujaria e të cilit është e pafund dhe Ai e do bujarinë te robërit e Tij. Dhe pjesa më bujare nga bujaria e Tij e madhe është prezantimi i Tij nëpërmjet emrave më të bukur dhe cilësive më të plota. Ndaj, secili emër i tij është emër më i bukur, mirëpo emri i Tij më i madh mund të jetë i përbërë nga një fjalë ose nga dy e më shumë fjalë, për aq kohë sa i përmbledh të gjitha cilësitë e Qenies së Tij të Lartësuar, veprimet e Tij dhe të gjitha kuptimet e të gjitha cilësive të Tij, si për shembull:
– Emri Allah është emër gjithëpërfshirës, i cili i përmbledh të gjitha atributet e Hyjit, e njëkohësisht i përfshin edhe të gjitha cilësitë e plota. Shembulli tjetër është emri i Tij El Hamid El Mexhid – i Falënderuari i Lavdishëm. Pra, emri El Hamid i Falënderuari, i përmbledh të gjitha kuptimet e plota mbi falënderimin e plotë që është i veçantë vetëm për Allahun e Lartësuar dhe emri i Tij El Mexhid – i Lavdishmi, i përmbledh të gjitha cilësitë madhështore dhe fisnike. Kështu është edhe me emrat: El Xhelil El Xhemil El Ganij El Kerim i Lartësuari i Bukur, i Mëvetësishëm e Bujar.
– Emrat El Haj El Kajjum – i Gjalli i Vetëqëndrueshëm. Emri El Haj është Ai të Cilit i takon jeta e plotë, madhështore dhe gjithëpërfshirëse, me të gjitha kuptimet që i takojnë Lartmadhërisë së Qenies së Tij. Ndërkaq, El Kajjum është Ai i Cili është i Vetëqëndrueshëm dhe i Mëvetësishëm nga të gjitha krijesat e Tij. Është Ai, i Cili i ka sjellë në ekzistencë të gjitha gjërat. Kësisoj ky emër i ngërthen të gjitha cilësitë vepruese të Allahut të Lartësuar.
– Emrat e Tij El Adhim El Kebir Madhështori më i Madh. Këta emra i përfshijnë të gjitha kuptimet e madhështisë e krenarisë së plotë, e cila i takon Qenies, emrave dhe cilësive të Tij. Këta emra i përmbledhin të gjitha kuptimet e madhërimit dhe lartësimit të Allahut të Lartësuar.
– Fjalët Ja dhe-l-Xhelali ue El Ikram – O Zotërues i madhështisë dhe fisnikërisë. El Xhelal përfshin cilësitë madhështore dhe krenarinë e plotë, si dhe aspektet e ndryshme të plotësisë së Allahut. Ndërkaq, El Ikram nënkupton meritën e Allahut që të jetë më i Dashuri për robërit e Tij dhe denjësinë e Tij që robërit e Tij të jenë në kulmin e nënshtrimit dhe përuljes përpara Lartmadhërisë së Tij.
“Nga e gjithë kjo mund të mësojmë se emri më i madh, ka për qëllim llojin e emrave dhe jo një emër specifik. Ky është mendimi që gjen më së shumti mbështetje në argumente fetare dhe ato çfarë nënkuptojnë ato, pikërisht siç shënohet në mesin e thënieve të Profetit , kur dëgjoi një sahab duke u lutur me lutjen: ‘O Allah, unë po të lutem Ty duke dëshmuar se Ti je Allahu, s’ka zot tjetër veç Teje, Ti je Një, i Përkryeri, i Cili s’ka lindur, nuk është i lindur dhe nuk është i krahasueshëm me askënd’ dhe i Dërguari tha: ‘Betohem për Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se e ke lutur Allahun me emrin e Tij më të madh – emër me të cilin kur lutet, Ai përgjigjet e kur i kërkohet diçka me këtë emër, Ai jep (atë që i kërkohet).” (Ebu Davudi, 1493)
Në një hadith tjetër, ku një njeri u lut duke thënë: ‘O Allah, unë po të lutem Ty duke e pranuar se vetëm Ty të takon falënderimi i plotë, s’ka zot tjetër veç Teje. Ti je Begatuesi, Shpikësi i qiejve dhe i Tokës dhe Ti je Zotërues i madhështisë e fisnikërisë. O i Gjallë! O i Vetëqëndrueshëm!’, Profeti tha: ‘Betohem për Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se ky e ka thirrur Allahun me emrin e Tij më të madh. Emër me të cilin nëse e thërret Allahun, Ai të përgjigjet e nëse i kërkon diçka, Ai të jep. (En-Nesai, 1300 dhe Ebu Davudi, 1495. Ndërkaq, shejh Albani e saktëson në Sahih Ebu Davud, 1336)
Gjithashtu edhe fjalët e Profetit në këtë hadith, ku thotë: ‘Emri më i madh i Allahut është në këto dy kaptina: Zoti juaj është një Zot i vetëm! S’ka zot tjetër (të denjë për adhurim) përveç Atij, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!’ (Bekare, 163) dhe ‘Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje!’ (Bekare, 255).’ (Et-Tirmidhi, 3400. Ndërkaq, shejh Albani e saktëson në Sahih Et-Tirmidhi, 2864)
Në hadith qëndron es-suretejn, që përkthehet në dy sure apo dy kaptina, por meqë këto ajete janë në të njëjtën kaptinë, atëherë nënkuptohet se me kaptina janë për qëllim ajete.
“Ndaj, sa herë që robi i drejtohet Allahut të Lartësuar me ndonjërin prej këtyre emrave madhështorë, nga thellësia e zemrës së Tij, i përulur dhe i nënshtruar para Lartmadhërisë së Tij, nuk ndodh që t’i kthehet lutja. Vetëm Allahu është Ai që jep sukses.” (Mexhmu el fevaid ue iktinas el euabid, 251)
Ndikimi që ka ky emër madhështor në jetën e besimtarit
Kur një besimtar arrin t’i kuptojë domethëniet që ngërthen ky emër, si dhe pjesën tjetër të emrave më të bukur e cilësive më të plota të Allahut, të cilat i nënkupton ky emër, në zemrën e tij skaliten kuptime madhështore dhe kjo jep rezultate shumë të dobishme, ku më kryesoret prej tyre janë si në vijim:
1- Dashurinë për Allahun e Lartësuar – një dashuri të madhe, e cila tejkalon edhe dashurinë për vetveten, për familjen, për fëmijën dhe për gjithçka ç’ka për të të ofruar kjo botë, për shkak se Allahu i Lartësuar është Hyji, i Adhuruari i Vetëm, i cili në vazhdimësi na begaton, dhe është i Vetmi i Cili na jep mirësi të panumërta, prandaj edhe vetëm Atij i takojnë emrat më të bukur. Vetëm Ai është Krijuesi dhe vetëm Atij i takon të urdhërojë. Vetëm Atij i takon mirënjohja e plotë dhe falënderimi i pafund. E ky fakt, nënkupton dashuri për gjithçka që Allahu do dhe këdo që Allahu e do, ashtu siç nënkupton edhe urrejtje për gjithçka dhe këdo që Allahu i Lartësuar e urren. Pra, ky fakt vendos themelet e miqësisë dhe armiqësisë për hir të Allahut.
Ndërkaq, nuk e shijon imanin askush ра e dashur Allahun e Lartësuar me dashuri të plotë, aq sa, çdo dashuri dhe urrejtje tjetër shkaktohet nga dashuria për Allahun e Lartësuar. Ky pra është kuptimi i fjalëve të Profetit , kur thotë: “Ai që i ka këto tri gjëra, e ka shijuar ëmbëlsinë e imanit:
- Që Allahu dhe i Dërguari i Tij të jenë më të dashur tek ai se çdo gjë tjetër,
- Që të dojë një person vetëm për hir të Allahut,
- Që të urrejë kthimin në mosbesim, ashtu siç urren të hidhet në Zjarr.” (Buhariu, 16)
Allahut të Lartësuar i takon shembulli më i lartë! Sikur një krijesë të kishte cilësi të plota njerëzore, që ua ka ënda t’i kenë të gjithë njerëzit, e pastaj kjo krijesë t’ua zgjaste dorën njerëzve për t’i begatuar, çfarë do të ndjenin në zemrat e tyre për këtë krijesë?
S’ka dyshim se në zemrat e tyre do të gufonte një dashuri e madhe ndaj saj. Ata do të ndiheshin të afërt me të. Do të shijonin kulmin e kënaqësisë, sa herë që do t’u jepej mundësia për të qëndruar afër saj. Kjo krijesë do t’i përvetësonte zemrat e njerëzve dhe do t’i zotëronte ato.
E gjithë kjo vlen për një krijesë të dobët, të kufizuar në kohë dhe në hapësirë, me mangësi të domosdoshme në vlerat dhe cilësitë e saj, sepse çdo mirësi që do të bënte kjo krijesë, do të ishte zgjatim i mirësive të Allahut, meqenëse çdo krijesë është e kufizuar dhe ka mangësitë e saj.
E si është puna me Atë që zotëron emrat më të bukur dhe cilësitë më të plota?! Si është puna me Atë që u jep mirësi e begati të pandërprera krijesave të Tij, secilës veç e veç, në çdo kohë dhe në çdo vend?! A nuk i takuaka dhe a nuk e merituaka të njësohet e të veçohet me adhurime dhe falënderim të pandërprerë?! A nuk e merituaka që ta duam me dashuri të plotë, të druhemi vetëm prej Tij, të shpresojmë vetëm tek Ai dhe t’ia kushtojmë të gjitha llojet e adhurimeve?!
Po, për Allahun, vetëm Atij i takojnë këto dhe askujt tjetër. Për këtë arsye robi gjen prehje e qetësi kur i drejtohet Zotit të tij të Lartësuar Për këtë arsye me fjalët O Allah, ose Allahume. Në këto momente, në shpirtin e tij ndjen siguri dhe i ngjallen shpresat.
Shejh Sadi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Robërit e Er-Rrahmanit Mëshiruesit, adhurojnë vetëm Allahun, vetëm Atë konsiderojnë Perëndi, vetëm përpara Tij përulen duke e adhuruar me zemër, me shpirt, me fjalë e me vepra, sa kanë mundësi dhe në bazë të shkallës së besimit të tyre.
Kështu, ata e njohin Zotin përmes emrave dhe cilësive të Tij, aq sa kanë mundësi të mësojnë për Allahun. Atë e duan me gjithë zemër, me një dashuri e cila e tejkalon çdo dashuri tjetër. Këtë dashuri për Zotin nuk e pengon as dashuria për fëmijët, prindërit dhe këdo tjetër që ata duan, përkundrazi, dashuria ndaj atyre që i duan, është e motivuar nga dashuria që kanë për Allahun dhe është zgjatim i saj.
Ndërsa, pasi plotësohet dashuria e tyre për Allahun në zemrat e tyre, ata e duan edhe çdokënd dhe çdo vepër që e do Allahu. Ata e duan çdo kohë dhe vend që Allahu e do. Kështu, dashuria e tyre përcjell dashurinë e Zotit të tyre, Pronarit dhe të Dashurit të tyre, si dhe urrejtja e tyre mbetet vetëm për çfarë Zoti e urren.
“E më pas, pasi të plotësohet dashuria për Allahun në zemrat e tyre, ajo bëhet bazë mbi të cilën ndërtohen adhurimet që i kushtohen vetëm Allahut. Mbi këtë bazë kërkohet afërsia ndaj Allahut dhe kënaqësia e Tij. Kjo bazë ndërmjetëson për të arritur shpërblime në bazë të mundit e angazhimeve që derdhen për t’i përmbushur urdhrat e Allahut dhe urdhrat e të Dërguarit të Tij, si dhe në përpjekjet e nevojshme për ta frenuar veten nga ndalesat e Allahut dhe të Dërguarit të Tij.
Në këtë mënyrë, këta bëhen të dashur për Allahun dhe për ata që e duan Allahun. Kësisoj, plotësohet robëria e tyre ndaj Allahut dhe pranohet plotësisht hyjnizimi i Zotit në zemrat e tyre. Ndaj, këta e meritojnë me të drejtë të quhen robër të Allahut dhe të përshkruhen si robër
të Er-Rrahmanit – Mëshiruesit: ‘Robërit e Mëshiruesit…’ (Furkan, 63). Në këtë ajet, pas këtij epiteti për këta njerëz fatlumë, përmenden karakteristikat dhe tiparet e tyre më të bukura. Pastaj tregohet për arritjet e tyre në saje të mëshirës së Mëshiruesit dhe për gradat që Mëshiruesi u jep atyre. E pastaj tregohet edhe për rezultatin e kësaj mëshire hyjnore ndaj këtij grupi, ku ata fitojnë afërsi me Allahun, kënaqësinë e Tij, shpërblimet e Tij si dhe shijojnë bujarinë e mëshirën e Tij.” (Fet’h er-Rrahman El Melik El Al-lam, 21 – 22)
2- Madhërimi i të Lartësuarit, Lavdërimi i Tij dhe çiltërsia e plotë gjatë kryerjes së adhurimeve. Pastaj, mbështetja e plotë vetëm tek Ai, frika prej Tij, shpresa tek Ai, synimi për t’ju afruar Atij, druajtja prej Tij, namazi për Të, agjërimi për Të, sakrifica për Të, nedbri (zotimi) për Të, si dhe adhurime të tjera të kësaj natyre, të cilat nuk lejohet të kryhen për hir të askujt tjetër e as t’i kushtohen askujt tjetër, veç Allahut të Lartësuar.
3- Ndjesia e krenarisë duke qenë me të Lartësuarin dhe duke e ndjerë lidhjen vetëm me Të. Me ç’rast rrënohet frika nga krijesat e ndryshme dhe del në pah panevojshmëria për lidhjen me krijesat e Allahut. Allahu i Lartësuar është Krijuesi i çdo gjëje, Ai e furnizon çdo gjallesë dhe Ai është Planifikuesi i çdo gjëje. Ai është i Pamposhtur, ndaj s’ka krenari të vërtetë pa u mbështetur vetëm tek Allahu i Lartësuar.
Sa e sa njerëz ngritën krye me pasurinë që ua kishte dhënë Allahu, e nuk shkoi gjatë derisa e humbën pasurinë që kishin. Sa e sa njerëz ngritën krye me pushtetin që ua kishte dhënë Allahu, e s’kaloi ndonjë kohë e gjatë derisa e humbën pushtetin. Nga këta s’dëgjohet gjë tjetër veç fjalëve: “Pasuria ime nuk më solli dobi dhe më la fuqia ime!” (Haka, 2829). Ndaj, besimtari nuk mburret e as nuk krenohet me diç tjetër, përveçse me Allahun Madhështor, të Fortin, të Plotfuqishmin, të Madhin dhe të Lartësuarin. Besimtari nuk mbështet tek askush tjetër veç Allahut të Vetëm: “Mbështetu në të Gjithëjetshmin, i Cili nuk vdes.” (Furkan, 58)
4 – Një nga ndikimet më pozitive që ka ky emër madhështor, duke e njohur mirë realitetin e Tij, është se ndikon në qetësinë e zemrës, në lumturinë e saj, si dhe në afërsinë e saj me Allahun e Lartësuar. Përkitazi me këtë, shejhu-lIslam Ibn Tejmije, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Vërtet kënaqësia, gëzimi dhe çastet më të lumtura, të cilat nuk mund të shpjegohen nëpërmjet shprehjeve, nuk arrihen ndryshe, veçse duke e njohur Allahun e Lartësuar, duke e njësuar dhe duke i besuar Atij.
Vetëm në këtë mënyrë shijohet realiteti i imanit dhe arrihet njohja e Kuranit, siç thonë disa dijetarë: ‘Kam arritur të jem në këtë gjendje, sa që them se sikur banorët e Xhenetin të jetonin kështu – ра shpërblime të tjera – jeta e tyre me të vërtetë do të ishte një jetë e bukur…’ E zemrat s’kanë ndonjë gëzim apo kënaqësi të plotë pa e dashur Allahun, pa iu afruar Atij me dashurinë e asaj që Ai e do, dhe me refuzimin e çdo të dashuri tjetër veç Allahut. Ky është thelbi i dëshmisë S’ka të adhuruar tjetër veç Allahut.” (Mexhmu el fetaua, 28/31)
5 – Meqenëse kjo fjalë që i referohet të Lartmadhëruarit – emri Allah – i përfshin të gjithë emrat dhe cilësitë e Allahut të Lartësuar, ndikimi që shkakton në jetën e besimtarit ky emër i Tij, përfshin ndikimin edhe të çdo emri apo cilësie tjetër të Tij. Ndaj, çdo ndikim që ka ndonjë emër i Allahut të Lartësuar dhe ndonjë cilësi e Tij, është patjetër pjesë e ndikimit të këtij emri madhështor. Kjo do të sqarohet akoma më shumë – nëse do Allahu – përgjatë shpjegimit të kuptimeve që ngërthejnë emrat dhe cilësitë e Allahut, si dhe ndikimin e tyre, në vazhdimin në këtë libër.
6 – Njësimi i Allahut të Lartësuar me dashuri e miqësi, si dhe njësimi duke besuar se vetëm Atij i takon gjykimi dhe vetëm tek Ai do të gjykohen të gjithë krijesat. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: ‘A të marr mbrojtës tjetër, përveç Allahut, Krijuesit të qiejve dhe Tokës?’” (Enam, 14) dhe thotë: “Thuaj: ‘Vallë, a të kërkoj tjetër gjykatës përveç Allahut, kur është Ai që ju ka zbritur këtë Libër të hollësishëm?!’” (Enam, 114)